Urdhër-arresti për ‘policen’ gjermane të ISIS-it

Hetuesit gjermanë arritën për herë të parë që të lëshojnë një urdhër arresti për një përkrahëse gjermane të IS-it, pas kthimit të saj në Gjermani. 27-vjeçarja Jennifer W. u arrestua të premten e kaluar në Bavari, njoftoi Prokuroria Federale në Karlsruhe. Përveç kësaj u kontrollua edhe banesa e saj në rrethin e Vechta në Saksoninë e Ulët.

Prokurori i Përgjithshëm Federal Peter Frank dëshiron të hetojë më me forcë ndaj mbështetëseve të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (IS). Megjithatë kjo në shumicën e rasteve është e vështirë, sepse gratë shpesh martohen me luftëtarë të IS-it, lindin fëmijë dhe i edukojnë ata në frymën e ideologjisë së IS-it, por nuk ndërmarrin veprimtari aktive apo shërbejnë nën armë.