Ftesa për udhëheqje të dialogut, Avdullah Hoti i kundërpërgjigjet Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur ftesës së presidentit të vendit, Hashim Thaçi për udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se janë qytetarët ata që përmes zgjedhjeve të lira do të vendosin se kush do të udhëheq me vendin e jo Hashim Thaçi.

Tutje Hoti ka thënë se deklarimet e tij janë antikushtetuese dhe se këto deklata janë duke i bërë dëm Kosovës.

Ja postimi i plotë i tij:

Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje.

E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese.

Dëmet që z.Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush.