‘Krejt Njëjtë’

Në Kosovë, që nga liria e saj, por edhe nga shpallja e pavarësisë, nuk ka mundur asnjë qeveri ta qojë deri në fund ndonjë mandat.

Krejt ky rrëfim fillet e tij i ka qysh në vitin 2001, pra kur u mbajtën zgjedhjet e para për institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të atëhershme, por që u përfundua para kohe ai mandat, për të shkuar në zgjedhje të reja e të cilat gjithashtu sollën disa kryeministra me mandate të shkurtra. Qeveri më stabile kishte pas zgjedhjeve të vitit 2007, mirëpo, jo deri në atë masë sa të kemi përfundime të rregullta të mandateve qeveritare (qeveria Thaçi 1 dhe qeveria Thaçi 2).

Tani veç se ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, ku subjektet politike janë gjallëruar qysh pak ditë para se të ketë dhënë dorëheqje kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Debatet dhe përplasjet mes subjekteve politike kanë filluar, ato pritet të rriten edhe më tej në këto ‘pak’ ditë të mbetura, ku do të bëhen disa polarizime mes disa subjekteve politike, por duke ‘ruajtur’ gjithnjë partnerët potencial me të cilët mendohet të krijohen koalicionet pas-zgjedhore për formimin e qeverisë së re.