“Politika e largoi Valonin, himnin do ta këndonte vetëm për Kosovën, porosia për talentet që kanë mëdyshje për Kosovën”

Futbollisti nga Kosova, Valon Behrami, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll.

33-vjeçari që nga viti 2005 është pjesë e skuadrës helvetike ndërkohë që ka marrë pjesë në katër Kampionate Botërore.

‘Rusia 2018’ ishte kampionati i fundit i botës në të cilin Valoni morri pjesë, për tu larguar më pas me vetëm një telefonatë nga përzgjedhësi Vladimir Petkoviç.Ndryshe, Petkoviç e ka ftuar edhe Johan Djourou dhe Stephan Lichtsteiner për dy ndeshjet e radhës të Zvicrës, por jo edhe Valon Behramin dhe Blerim Xhemailin.

Për katër lojtarët e lartëpërmednur, Petkoviç pati thënë se nuk do të ftohen në Përfaqësueses për shkak të moshës. Gjithsesi, Petkoviç ka bërë përjashtim për shqiptarët.Ai ditë më parë ka thënë se Valon Behrami nuk e kuptoi.

“Unë nuk e kam atë të drejtë të pensionoj lojtarët, vetëm mund të përzgjedh ose jo një futbollist. Kam dashur vetëm t’i informojë disa lojtarë se ndeshjet në Ligën e Kombeve do t’i shfrytëzojë për t’i dhënë mundësi lojtarëve të rinj për të pasur më të lehtë të zgjedh skuadrën për kualifikimet e vitit të ardhshëm për Euro 2020. Të gjithë lojtarët e kuptuan arsyeshmërinë time, Gelson Fernandes madje e kishte pritur se kishte vendosur të pensionohej, të gjithë tjerët e kuptuar, fatkeqësisht vetëm Valoni jo”, u shpreh Petkovic për mediat zvicerane.

“Himnin do ta këndonte vetëm për Kosovën”

Mitrovicasi Ragip Behrami ndër të tjera ka folur edhe për një fakt interesant rreth Valonit në kohën sa ky i fundit ka qenë pjesë e Zvicrës. “Pikërisht herën e fundit e kam pyetur se pse nuk e ka kënduar himnin e Zvicrës dhe ai më ka thënë se këtë do ta bënte vetëm për Kosovën dhe askënd tjetër. Në kohën sa e kemi pranuar Zvicrën nuk ka qenë e pranuar Kosova. Pas pranimit, Zvicra ka shkaktuar probleme që lojtarët të vijnë për Kosovë”, potencoi Ragip Behrami.

“Futbollistët e rinj shqiptarë të mendojnë mirë”

Krahas Valon Behramit tashmë të larguar, për Zvicrën paraqiten edhe një ‘armatë” e futbollistëve shqiptarë si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili derisa më parë është aktivizuar edhe Pajtim Kasami.Së fundmi Zvicrës i ka thënë ‘PO’ edhe talenti nga Kosova, Albian Ajeti që luan me Baselin. “Tashmë kanë mundësi që të zgjedhin për Kosovën. Mua nuk më takon që tu ndërhyjë lojtarëve. Por, mund të them se në kohën sa Valoni e ka pranuar Zvicrën, Kosova nuk ka qenë e pranuar. Tashmë Kosova ekziston. Le të mendohen mirë para se të vendosin”.