“Burri e tradhton gruan kur nuk i jep hakun”, plas debati në rrjet pas fjalëve të imamit shqiptar (Video)

TIRANE- Një fjalim i postuar në rrjetet sociale një ditë më parë, ku imami Elvis Naçi mban një ligjeratë të gjatë mbi faktin se pse tradhtojnë meshkujt ka ndezur një debat të fortë, për shkak të përfundimeve që ai nxjerr.

Duke u ndalur konkretisht tek rastet në Shqipëri, imami thotë se burrat tradhtojnë pasi bashkëshortet e tyre pas lindjes e lënë veten pas dore, nuk kryejnë detyrat bashkëshortore në shtrat aq shpesh sa burrat e kërkojnë, lejojnë veten të shtojnë në peshë, etj.

“Femra duhet t’i ketë parasysh tre gjëra. Femra sot sa bën fëmijën e parë, e sheh burri një herë në muaj. A e dini pse ndodhin tradhtitë sot, pse po prishet familja? Shkoni në gjykatë pyesni, dy elementë janë: tradhtia dhe ekonomia. Ka thënë: bashkëshortja e vërtetë që e ruan familjen dhe e ka me merak po edhe që kupton, se nga njëherë edhe nuk kupton, tha që kur shikon bashkëshortin gëzohen. E para e pret me kënaqësi, me selam me buzëqeshje dhe në formën më të bukur. Nëqoftëse hyn bashkëshorti dhe ti je duke bërë gjellën dhe ashtu siç ke qenë që je ngrit prej gjumi, pret burrin, do hapi sytë tek gratë e huaja”,- thotë ai.\\’

Duke vazhduar teorinë e tij imami thotë se femra që nuk e lejon bashkëshortin t’i afrohet, mallkohet në ëngjëjt.

“Nëqoftëse do të afrohet bashkëshorti tek bashkëshortja në darkë dhe ajo nuk afrohet, engjëjt e mallkojnë deri në mëngjes nëqoftëse bashkëshorti është hidhëruar. Dëgjoji këto perla të mëdha dhe kuptoje, se është problemi po ta kapësh jashtë kontekstit thua ç’është kjo punë, këtu është diskriminim për femrën, jo mor jo! Duhet femra të jetë e rregullt në raportin me bashkëshortin fiziologjik që të mos vuaj shoqëria nga imoraliteti, prandaj dhe engjëjt që nuk e duan imoralitetin në shoqëri mallkojnë atë femër që nuk i jep hakun bashkëshortit gjatë natës”,- shtoi ai.

Imami është aq i drejtpërderjtë sa shprehet se në rast së një femër shkon 150 kile mbaron edhe familja.
“Thonë ca s’e kam mbajt veten këto kohë, mirë se ke femra që mbajnë veten jashtë familjes, mos u mërzit, se s’e ka të vështirë të të tradhtojë. Sot është bërë e lehtë fare”.
Pas publikimit të videos pati reagime të shumta, sidomos nga femrat që me të drejtë pyesin çfarë ndodh nëse gruaja do e tradhtonte burrin për të njëjtat arsye?