Mon. May 27th, 2019

Fillon përdorimi i vaksinës së re kundër malaries

Fillon përdorimi i vaksinës së re kundër malaries
Shteti i Malavit do ta fillojë vaksinimin e fëmijëve për t’i imunizuar pjesërisht ata ndaj sëmundjes së malaries. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se kjo është vaksina e parë për fëmijë kundër kësaj sëmundjeje.

Ndonëse vaksina i mbron vetëm një të tretën e fëmijëve, të cilët janë më të vegjël se dy vjeç, hulumtimet klinike kanë dëshmuar se edhe personat më të rritur që janë vaksinuar me këtë ilaç kanë gjasa të përjetojnë simptoma më të lehta të sëmundjes. Në hulumtimet e mëhershme është vërtetuar se kjo vaksinë i ka parandaluar 40 për qind të rasteve të malaries tek foshnjat e moshës 10 deri 17-muajshe.

Malaria mbetet një nga sëmundjet që shkakton më së shumti vdekje në botë. Sipas statistikave botërore, një fëmijë vdes çdo dy minuta në botë për shkak të kësaj sëmundjeje dhe ka shenja që lufta kundër saj është dobësuar. Më të rrezikuarit nga kjo sëmundje janë fëmijët nën moshën 5-vjeçare, sidomos ata që jetojnë në Afrikë, ku 250 mijë fëmijë vdesin çdo vit nga malaria.

Vaksina që ka filluar të përdoret tash është përgatitur për 30 vjet. Efikasiteti i saj prej 40 për qind nuk është aq i lartë sa i vaksinave për sëmundjet tjera, por Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kjo vaksinë do të jetë ndihmë për parandalimin e rasteve të reja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur që kjo vaksinë të përdoret së pari në Afrikë sepse shtetet e këtij kontinenti zbatojnë programe të gjera në luftën kundër malaries, ndonëse numri i rasteve mbetet ende i madh, shkruan “The Guardian”,