Lutfi Haziri dhe Halil Kastrati japin një lajm të mirë nga Gjilani

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e shoqatës Jetimët e Ballkanit, Halil Kastrati, i kanë dorëzuar sot çelësat e shtëpive të reja 20 familjeve me gjendje të rëndë sociale.

Haziri ka thënë me këtë rast se prioritet kanë qenë jetimët, nënat vetushqyese dhe familjet me gjendje të rëndë sociale.

“Me ngjarjen e sotme, numri i familjeve që u kemi ndërtuar shtëpi në Gjilan është 135, duke qenë komuna kampione sa i përket zgjidhjes së këtij problemi. Prioritet kanë qenë jetimët, nënat vetushqyese dhe familjet me gjendje të rëndë sociale. Unë e falënderoj shoqatën Jetimët e Ballkanit për këtë donacion të jashtëzakonshëm, të cilët në afatin më të shkurtër të implementimit dhe me drejtësinë që është vendosur, na kanë bërë të gjithëve krenarë dhe të besueshëm për të vazhduar programin”, tha Haziri.

Haziri tha se janë duke u ndërtuar edhe dy shtëpi, ndërkaq kanë mbetur edhe 25 të tjera për ta përmbyllur problemin e banimit.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës Jetimët e Ballkanit, Halil Kastrati, ka deklaruar se është shumë i kënaqur me realizimin e këtij projekti sikurse edhe me bashkëpunimin e madh të Komunës së Gjilanit, duke shtuar se ky nuk do të jetë edhe projekti i fundit për këtë komunë.

Përndryshe, Komuna e Gjilanit ka participuar 5 mijë euro për shtëpi.