Ky është personi që jeton në vendin më të sigurt në botë nga koronavirusi (FOTO)

Për më shumë se 30 vjet, Mauro Morandi, është banori i vetëm i një ishulli përrallor në Detin Mesdhe. Nëse për shumicën nga ne, situata e qëndrimit në shtëpi është stresuese, për 81-vjeçarin kjo është jeta e tij normale.

Morandi, një ish-mësues, mbërriti rastësisht në ishullin Budelli, në brigjet e Sardenjës, ndërsa u përpoq të lundronte nga Italia në Polinezia, 31 vjet më parë.

Ai ra në dashuri me ujërat e kristalta të ishullit, rërën e pastër, perëndimin magjepsës të diellit dhe vendosi të qëndrojë. Menjëherë pasi zbarkoi më 1989-ën, zbuloi që kujdestari i ishullit po dilte në pension. Varka e shkatërruar e Morandit ishte pasqyrim i gjendjes së tij fizike, mendore dhe emocionale në atë kohë. Kështu që vendosi të ndryshojë jetën dhe të pranojë postin e punës.